Shpopullimi i Veriut, KLSH: Mungon modeli ekonomik që krijon mundësi reale jashtë Tiranës
Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se mungesa e mundësive ekonomike dhe përqendrimi i investimeve në kryeqytet po përshpejtojnë zbrazjen e qarqeve veriore, duke thelluar pabarazitë rajonale dhe krizën demografike në vend.

Veriu i Shqipërisë po përballet me një proces të vazhdueshëm shpopullimi, ndërsa Tirana vijon të tërheqë një pjesë gjithnjë e më të madhe të popullsisë. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se më 1 janar 2026 popullsia e vendit zbriti në 2,335,930 banorë, me një rënie prej 1.16% gjatë vitit 2025. Ndërkohë, Tirana ishte i vetmi qark që regjistroi rritje të popullsisë, me 0.7%, ndërsa qarqet e tjera vijuan të humbasin banorë.
Më të goditurit rezultojnë Kukësi dhe Shkodra, ku popullsia u tkurr respektivisht me 2.59% dhe 2.56%. Sot, Tirana përfaqëson 32.8% të popullsisë së vendit, duke konfirmuar tendencën e përqendrimit ekonomik dhe demografik në kryeqytet. Në të njëjtën kohë, migracioni neto mbetet negativ me 28,531 persona, ndërsa lëvizjet e brendshme vazhdojnë të zbrazin zonat veriore dhe rurale në favor të Tiranës dhe Durrësit.
KLSH: Strategjitë nuk adresojnë problemet reale të qarqeve
Fenomeni është analizuar në raportin tematik të Kontrollit të Lartë të Shtetit “Mbi planet gjithëpërfshirëse të qeverisë dhe aspektet buxhetore për një popullsi në moshim”. Sipas auditimit, një nga faktorët kryesorë të largimit të popullsisë aktive është tregu i dobët i punës dhe mungesa e politikave të mirëfillta për zhvillimin rajonal.
KLSH thekson se Strategjia Kombëtare e Migracionit nuk përfshin analiza të detajuara të papunësisë sipas qarqeve dhe nuk arrin të lidhë fenomenin e migracionit me treguesit territorialë të punësimit. Si pasojë, politikat publike nuk adresojnë në mënyrë efektive arsyet konkrete që shtyjnë banorët të largohen nga zonat periferike.
Kukësi, simbol i mungesës së perspektivës ekonomike
Edhe pse statistikat zyrtare e rendisin Kukësin me një normë papunësie prej vetëm 4%, raporti vëren se realiteti ekonomik është shumë më kompleks. Vendimi për t’u larguar nuk lidhet vetëm me mungesën formale të vendeve të punës, por edhe me pagat e ulëta, varfërinë, mungesën e shërbimeve publike dhe mungesën e perspektivës ekonomike.
Nga sondazhet e kryera në këtë qark rezulton se 35% e të anketuarve dëshirojnë të emigrojnë, ndërsa 59% e tyre kanë si destinacion të preferuar Mbretërinë e Bashkuar. Arsyet ekonomike dominojnë qartësisht vendimmarrjen. Rreth 58% e të anketuarve përmendin koston e lartë të jetesës si shqetësimin kryesor, 42% mungesën e mundësive të punësimit, 37% papunësinë e të rinjve dhe 35% varfërinë.
Po ashtu, 42% e të anketuarve besojnë se të rinjtë nuk kanë alternativa të tjera përveç emigrimit, ndërsa 31% mendojnë se emigracioni i parregullt është një fenomen i pandalshëm.
Ekonomi e mbështetur te bujqësia dhe mungesë diversifikimi
Sipas KLSH-së, Kukësi mbetet qarku më i varfër në Shqipëri, me tregues socio-ekonomikë 30 deri në 40% nën mesataren kombëtare. Rreth 70% e popullsisë së qarkut është e angazhuar në bujqësi, vetëm 5% punon në industri, ndërsa pjesa tjetër në sektorin e shërbimeve.
Kjo strukturë ekonomike tregon një mungesë të theksuar diversifikimi dhe një varësi të lartë nga aktivitetet tradicionale, të cilat nuk arrijnë të krijojnë vende të mjaftueshme pune dhe të ardhura konkurruese për të mbajtur të rinjtë në zonë.
Përqendrimi në Tiranë po thellon pabarazitë
Raporti vëren se qarqe si Kukësi, Shkodra apo Lezha mund të përfitonin nga politika të dedikuara, si subvencione për punësimin, programe të formimit profesional dhe lehtësi fiskale për bizneset që punësojnë të rinj. Megjithatë, këto masa nuk janë ndërtuar mbi analiza territoriale të detajuara dhe nuk kanë arritur të prodhojnë efektet e nevojshme.
KLSH arrin në përfundimin se Shqipëria nuk po humbet popullsi vetëm si rezultat i emigracionit, por edhe për shkak të mungesës së një modeli zhvillimi ekonomik që krijon mundësi reale pune dhe investimesh jashtë Tiranës. Për sa kohë universitetet, bizneset, investimet dhe tregu kryesor i punës mbeten të përqendruara në kryeqytet, zonat periferike do të vazhdojnë të humbasin banorë dhe të rinj, duke përshpejtuar plakjen e popullsisë dhe duke thelluar pabarazitë rajonale.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)